Të vjen keq se tartani është vërtet i cilësisë tepër të lartë. Në këtë aspekt, le “të rrimë shtrembër, e të flasim drejt” për t’i dhënë hakun kryetarit të Bashkisë. Gjithsesi, lavdërimet përfundojnë këtu, ndërsa në një shtet më qytetar se Shqipëria, një zyrtar i tillë do të ishte pyetur në instanca të tjera sesi ka mundësi të shpenzohen 1 milionë euro (aq thuhet) për një pistë atletike të hapur që nuk është aq sa duhet funksionale. Jo vetëm sepse nuk ka rrethim se kampionen e Europës, Luiza Gega, mund ta sulmojnë edhe qentë tek Liqeni Artificial i Tiranës, por sidomos sepse tartani është shtruar “shkel e shko”, diku më trashë e diku më hollë, dhe relievi me sy të lirë nuk duket aspak i rrafshët.
Aq e vërtetë është kjo saqë “Liza” (siç e quan trajneri i saj, Taulant Stërmasi) u detyrua të hiqte atletet “stërfirmato” “Najk” (Nike) dhe të vishte këpucë me thumba si futbollistët, ndryshe nuk mund të vraponte. E tillë pista e re e atletikës në kryeqytet, dhe kjo vetëm sepse shtrimi i saj iu la atyre që nuk e dinë sesi bëhet kjo punë. Kampionia e Europës jo vetëm humbi 6 vitet e saj më të mira të karrierës pa pistë në Tiranë (sepse në 2016 u shemb stadiumi “Qemal Stafa”), por edhe tani që e ka duhet të ndërrojë atletet. Për më tepër, pista është shtruar “përmbys” (“mirror”, thotë Stërmasi) sepse në çdo shteg atletike të botës starti i garës është nga Veriu dhe caku nga Jugu, kjo për të mos u penguar nga era e Veriut e Hemisferës sonë. Ç’të thuash? Apo “ç’të të qaj më parë”!
Sfidanti.al