Do të jetë aty në vend të Ramosit ose në vend të Varanit, apo ndoshta të të dyve. David Alaba bashkohet me Realin e Madridit me një kontratë 5-vjeçare, diçka që e pohoi klubi spanjoll, dhe ky përforcim i shkëlqyer vjen me parametër zero. Mbrojtësi austriak ka përfunduar kontratën në Mynih ku luajti për 13 vjet, 431 ndeshje dhe fitoi 27 trofe. Ai u bashkua me bavarezët kur ishte 15 vjeç dhe arriti gjithçka me ta, përfshi edhe 2 Champions 9 tituj në Bundesligë, pra largohet pa i mbetur gjë peng. “Lë një klub të veçantë për një tjetër klub të veçantë, – shkruajti Alaba në Instagram, – Jam i lumtur dhe i nderuar që bashkohem me Realin e Madridit. Pas shumë viteve në Mynih do të provoj një sfidë të re dhe do të jap maksimumin për të vazhduar historinë e veçantë të klubit”. Ai luajti 32 nga 34 ndeshjet e këtij viti në Bundesligë, ndërsa mund të përdoret si qendërmbrojtës, mbrojtës i majtë dhe mesfushor.
Sfidanti.al