Një skuadër turke ose një katalanase, kjo do të jetë kampionia e re e koshit në kontinentin e vjetër, në garën e meshkujve. Dy gjysmëfinale për infarkt u luajtën në Këln të Gjermanisë, dhe u fituan me fare pak pikë. Anadolu Efes kaloi CSKA-në e Moskës 89-87, ndërsa Barcelona fitoi me shumë mundim me Olimpian e Milanos 84-82. Turqit luajtën shkëlqyeshëm për 3 pjesë nga 4, duke qenë në epërsi 21 pikë ndaj skuadrës së lavdishme ruse dhe ish-sovjetike, e dyta për trofe në Euroligë pas Realit të Madridit (8 kupa ndaj 12). Në 10 minutat e fundit, Anadolu mbeti ma më të mirin Vasilje Miçiç, ndërsa Uill Klajbërn udhëoqi CSKA-në deri pranë fitores. Klajbërn shënoi 26 pikë dhe kapi 7 topa në tabela, Daniel Haket pati 17 pikë, 3 topa në tabela e 3 asistë dhe Lundberg shtoi 15 pikë për moskovitët. Për Anadoli Efesin, që humbi një finale pak vjet më parë ndaj CSKA-së, Miçiç pati 25 pikë në 36 minuta lojë, Simon shtoi 10 pikë e 6 topa në tabela, Sertaç Sanli ishte me 19 pikë e 8 topa në tabela, Rodrigo Bobua shtoi 15 dhe Shejn Larkin 11.
Barcelona fitoi me koshin e ish-lojtarit të CSKA-së, Higins, kur duheshin edhe 5 të dhjetat deri në fund. Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Nikola Mirotiç i Barcelonës me 21 pikë e 6 topa në tabela, ndërsa italianët u treguan të shkëlqyer deri në fund duke u shfaqur të mëdhenj siç ishin në vitet 80-të kur u shpallën dy herë kampionë të Europës.
Sfidanti.al