Nuk pati aspak fat, por gjithsesi shorti do nuk do të kishte qenë i lehtë. Partizanit i takoi kampionia e Azerbajxhanit, Karabaku, si kundërshtar në turin e parë eleminator të Championsit, pas shortit të hedhur në Nion të Zvicrës. Kundërshtarët e tjerë të mundshëm ishin Sëlltiku i Skocisë, Sherifi i Tiraspolit i Moldavisë, Sllovani i Bratisllavës, dhe më i lehti Dudelanzhi i Luksemburgut.
Karabaku është skuadra më e njohur e Azerbajxhanit, dhe një formacion me autoritet në kupat kontinentale vitet e fundit. Azerët janë kualifikuar për në fazën e grupeve në 5 sezone radhazi, katër herë në Ligën e Europës, dhe një herë në Champions, duke u ndeshur me skuadra të forta si Atletikon e Madridit, Romën, Çelsin, Arsenalin, Totenhemin apo Sportingun e Lisbonës.
Sezonin e kaluar, Qarabaku eleminoi në turin e dytë eleminator Kukësin, me fitore 3-0 dhe barazim 0-0 në Shqipëri. Për këtë skuadër luajti 7 vjet ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, dhe ish-mbrojtësi i Tiranës, Ansi Agolli, në sezonet 2012-2019, duke dalë 6 herë radhazi kampion.
Partizani ka luajtur rrallë në kupat e Europës sezonet e fundit, duke eleminuar Ferencvaroshin e Hungarisë në turin e parë dy sezone më parë, e duke u eleminuar nga Red Bulli i Salcburgut, Krasnodari dhe Maribori në Ligën e Europës. Kryeqytetasit kanë qenë në Champions vetëm katër herë që nga 1987-ta, dhe është ndeshur me Benfikën, Akranesin e Islandës, si dhe me kundërshtarët e viteve të fundit.
Nëse Partizani eleminohet, do të kalojë në turin e dytë të Ligës së Europës, pra sërish me shpresë për të synuar sukses. Ndeshja e parë do të luhet në 9 ose 10 korrik në Shqipëri, ndërsa ndeshja e kthimit, në 16 ose 17 korrik.
Sfidanti.al