“Mesi japonez” u nis për te Barcelona, por ..bitisi  te Reali

Reali i Madridit njoftoi se ka siguruar një përforcim të ri, ndoshta jo aq “tingëllues” sa ata që ka marrë deri tani këtë verë, por, sidoqoftë, “mbretërorët” fituan një “betejë” të rëndësishme, duke i marrë Barcelonës “Mesin japonez”.

Fjala është për futbollistin e ri të talentuar Takefuso Kubo që, qysh 10 vjeç, hyri në shkollën “La Masia” të Barcelonës, por më pas ai u identifikua nga FIFA si një nga futbollistët, për shkak të të cilëve klubi katalonjas kishte shkelur rregullat për blerjen e futbollistëve adoleshentë nga jashtë, kështu që Kubo u detyrua të kthehet në Japoni.

Në fillim të këtij muaji, Kubo mbushi 18 vjeç, kështu që ai mori ofertë nga Barcelona që të vishte përsëri bluzën e saj, por, megjithatë, futbollisti i ri japonez zgjodhi rivalin më të madh të Barcelonës, Realin e Madridit, ndërkohë që ai kishte oferta atraktive edhe nga Bajerni i Mynihut, Mançester Siti dhe PSZH-ja. Sidoqoftë, sezonin e ardhshëm Kubo që është pjesëtar i përfaqësueses japoneze dhe të cilin e konsiderojnë si “Mesi japonez”, do të luajë me ekipin e Kastijas që është “paradhomë” e Realit. Në fakt, ky futbollist japonez zotëron një teknikë të shkëlqyer dhe një vizion të gjerë për lojën, ndërsa është një driblues mjaft i mirë dhe ka nuhatje për gol.

Sfidanti.al