Partizani e Kukësi, “kryeveprat në ndërtim” torturojnë trajnerët!

Vuajnë sa herë përfundojnë ndeshjet. Dy nga trajnerët e ulur në stolat më të respektuar, por edhe më të “pabesë” të Superligës, Mark Iuliano, e Mladen Milinkoviç, e thanë edhe një herë “psallmën” e tyre. Edhe përpara duelit që përfundoi 0-0 mes Partizanit dhe Kukësit, ata e dinin se nuk ishin magjistarë, pra nuk mund të bënin asnjë magji.

E dinin edhe se ajo që u luajt në “Selman Stërmasi” nuk ishte një ndeshje e denjë mes dy pretendentëve kryesorë për titull (së bashku me Skënderbeun). Te Kukësi mungon vazhdimësia, loja e bukur, goditja e fundit drejt portës, tek Partizani mungon më shumë përveç dëshirës së madhe, të injektuar nga Iuliano. Shumë pasime, shumë presion, pak fantazi dhe pak raste të pastër.

Të dy trajnerët duan të thonë se kërkojnë më shumë kohë për të krijuar skuadrat e duhura, “kryeveprat” që synojnë, por nuk janë të sigurt se këtë kohë do ta kenë. Fati i paraardhësve të tyre, Starova e Gjoka, i bën ta kuptojnë sesa shumë rrezikojnë. Përballë tyre janë presidentët, dy nga “bosët” më “dorërëndë” në Superligë. Të dy kanë ndryshuar trajnerë. Ndoshta do të arrijnë ta kuptojnë se duke vepruar kështu, “kryeveprat” që duan, nuk do t’i kenë asnjëherë.

Sfidanti.al