Ndoqën shembullin e Belgjikës, jo të Holandës. Paris SG u shpall kampion i Francës, pavarësisht anulimit të sezonit, dhe kjo u vendos nga klubet e Ligës Profesioniste, të mbledhur për të dhënë verdiktet e sezonit. Skuadra e trajnerit Tomas Tuhel dhe e presidentit Al Helaifi, merr kështu frytet e një edicioni, të cilin e dominoi duke qenë 12 pikë përpara vendit të dytë, Olimpikut të Marsejës, ndonëse me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Po ashtu, golaverazhi i parizienëve ishte shumë më i mirë se i ndjekësve, me diferencë plus 51 rrjeta. PSG ka 68 pikë ndaj 56 të marsejezëve, ndërsa Ligës së Parë të Francës i kishin mbetur edhe 10 ndeshje për të përfunduar. Me këtë vendim të Ligës, Paris SG arrin në kuotën e 9 titujve, duke u barazuar pikërisht me Marsejën, e duke qenë me një kampionat më pak sesa lavdia e vjetër e Francës, Sent Etieni. Me financimet e sheikëve, pritet që të kalojë edhe “të blertët” dhe të bëhet klubi me më shumë trofe në vend.
PSG, ndërkaq, do të vazhdojë të luajë në Champions, ku ka mbërritur në çerekfinale, dhe ku ka ambicie të mëdha për të fituar trofeun. Po ashtu, klubi kryeqytetas është shumë i angazhuar për të siguruar qendrimin e yjeve kryesorë, Nejmar e Kilian Mbape.
Sfidanti.al