Diagnoza ishte e rëndë, dhe parashikimi është shumë i keq. Marash Kumbulla ka mbyllur jo vetëm sezonin pas dëmtimit të pësuar në Serinë A, por nuk dihet saktësisht as kur do të kthehet në edicionin e ardhshëm. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare do të duhet të kalojë një periudhë riaftësimi nga 6 deri në 8 muaj, përpara sesa të mundë të luajë sërish futboll. Kjo do të thotë se ai do të jetë i gatshëm në tetor, në rastin më të mirë, ndërsa në rastin më të keq do të duhet të presë deri në dhjetor. Pra, rrezikon që të mos luajë fare këtë vit.
Kumbulla dëmtoi ligamentin e gjurit në ndeshjen e Romës ndaj Milanit, ku ishte titullar, por duke dalë nga loja që në minutat e para. Me këtë parashikim, 24-vjeçari do të humbasë thuajse të gjitha ndeshjet eliminatore të Kampionatit Europian me kombëtaren. Shqipëria luan dy sfida në qershor, dy të tjera në shtator dhe një në tetor, dhe Kumbulla nuk do të jetë ndoshta në asnjërën prej tyre. Po ashtu, ka probleme për Romën e trajnerit Zhoze Murinjo që po lufton për të siguruar zonën Champions në Serinë A, dhe për të fituar Ligën e Europës.
Sfidanti.al