Fitojnë vetëm ata. Dy pilotët e Red Bullit po dominojnë plotësisht këtë sezon në Formula 1, dhe duket se titulli do të jetë një “çështje familjare”, edhe pse janë zhvilluar vetëm 5 gara deri tani. Maks Verstapen fitoi Çmimin e Madh të Majemit, i ndjekur nga shoku i ekipit, Sergio Perez, me një diferencë të madhe me makinat e tjera. Emra të tillë si Ferrari apo Mercedes nuk patën asnjë shans në pistën amerikane në Florida. Kampioni i botës zhvilloi një garë të madhe, edhe pse u nis nga vendi i 9-të. Diferenca e makinës Red Bull me të tjerat ishte e madhe, sidomos në momentet e parakalimit.
Verstapen kaloi fare lehtë rivalë si Sharl Lëklerk apo Xhorxh Rasëll, Sainz apo Alonso. Piloti holandez doli në krye që në xhiron e 21-të duke treguar se përse është më i miri. Nëntë xhiro para fundit, Verstapeni u detyrua të parakalonte edhe Perezin, për të siguruar një fitore të merituar. Ai kryeson renditjen me 119 pikë duke arritur tri fitore, ndërsa Perez është i dyti me 14 pikë më pak. Në Majemi shkëlqeu edhe dy herë kampioni i botës, Fernando Alonso, që doli në vendin e tretë me Aston Martin, ndonëse është 41 vjeç.
Sfidanti.al