Të fitosh dy herë radhazi në Paris në dy vjet nuk është gjë e vogël. Mund të mburret se e ka bërë Barcelona, por ajo ishte skuadra që dilte kampione e Europës në 2015, dhe as Reali nuk ia ka dalë, por e realizoi Mançester Junajtid. Të besuarit e Ole Gunar Solskjerit merituan gjithçka me shifrat 2-1 në “Park dë Prensis” ndaj PSG-së, ndërsa kishin triumfuar 3-1 në turin e dytë në 2108-2019. Nëse atëherë, parizienët kishin qenë më të mirë, këtë radhë ishin anglezët superiorë. Sa larg u duk ekipi i “djajve të kuq” nga paraqitja që bëri pak ditë më parë kur u mund në “Old Traford” 1-6 nga Totenhemi!
Solskjer la në stol artistin Pogba, për t’u mbështetur tek “punëtori” dhe “luftëtari” Mektominai, dhe zgjedhja e tij doli e drejtë. Junajtidi i bëri presion gjatë gjithë kohës Paris SG, dhe Mbape e Nejmar më shumë i prishën punë njëri-tjetrit. Bruno Fernandes shënoi me penallti, Marsial shkaktoi autogol për 2-1, por Rashford shënoi ashtu si dy vjet më parë, ndihmuar nga pasimi i Pogbasë që hyri në pjesën e dytë. Mançester Junajtidi bëhet i vetmi ekip që fiton në fushën e PSG-së në ndeshje grupi në 24 sfida, ndërsa tashmë kujtohet se është klubi anglez me më shumë pjesëmarrje në Champions, 23 nga 29 edicione. Përvojë e madhe, dhe papritur po duket sikur po kthehet në kohët e Sër Aleks Fergusonit.
Sfidanti.al