Panuçi me Cikalleshin, si drejtori i ri në ditën e parë të punës!

Nuk ka dyshim se Kristian Panuçi ka të drejtë në parim që e lë jashtë skuadre Sokol Cikalleshin. Sulmuesi kavajas, një djalë dhe një futbollist model, shkeli disi me pakujdesi dhe në mënyrë të pavetëdijshme, një rregull “të shenjtë” në çdo marrëdhënie pune, korrektesën. Gjithsesi, në një vend ku “treni nuk futet në stacion në orar” (sipas Estradës së Shkodrës), shumëkush ndjeu se ndaj “Cikes” ishte bërë një padrejtësi. Ja pra, jemi gjithnjë tek “Ndeshja e Qytetërimeve” apo e Kulturave, nëse do të perifrazonim Samuel Hantingtonin, pra ajo që është rregull diku, nuk shërben si e tillë diku tjetër.

Gjithsesi, Cikalleshi për fat të keq qëlloi të ishte “viktima” e “drejtorit të ri në ditën e parë të punës”. Vetë Panuçi do të vijojë të kërkojë rregull, por jo gjithnjë do t’ia dalë. Do të vijë një ditë, kur duke parë një vonesë të presidentit, një të zv.presidentit, një të sekretarit të përgjithshëm, një të filan zyrtari në FSHF, do të nisë të bjerret, dhe të lëshojë “pe” edhe tek futbollistët. E kujtoj shumë mirë Xhani De Biazin, në një nga grumbullimet pas Europianit, kur paksa i dorëzuar thoshte privatisht, “gjysmë me shaka, gjysmë seriozisht”, se “grumbullimi është në 18:00 dhe unë do të jem atje, por nëse duan të vonohen, le të vonohen”.

Panuçi është si De Biazi i ditëve të para, plot energji dhe besim, si çdo riosh në punë. Në fund të fundit, dorëzimi nga ana e tij përpara “moskorrektesës shqiptare” (relative, kjo) nuk do të thotë se kombëtarja shqiptare do të dalë keq në fushë. Mjafton të kujtojmë se klube të tillë si Skënderbeu apo Kukësi kanë qenë më të mirët në Shqipëri këta vite, edhe pse rregullat me gazetarët kanë qenë fare të lirshme, kushdo gazetar mund të telefononte në çdo ditë dhe në çdo orë ndaj çdo trajneri apo lojtari, dhe të merrte intervistën që donte. Le të kujtojmë se “Princesha e Maleve”, siç u quajt Ledi Edit Durhami, vlerësoi lart cilësi të tjera të shqiptarëve, edhe pse atyre u mungonin shumë koncepte dhe rregulla normale për Anglinë e Zonjës së madhe.

Sfidanti.al