Biliçi para shkarkimit eventual, Nukaselli ishte një “funeral”

Trajneri kroat Sllaven Biliç i shpëtoi për pak gjë shkarkimit të tij, në fund të sezonit të kaluar, nga kryesia e Uest Hemit, për shkak të rezultateve të dobta, por duket se, kësaj here, ai nuk do t’i shpëtojë dot më shkarkimit, pasi ekipi i drejtuar nga ai, përsëri, që në fillim të sezonit të ri të Premier Ligës, po tregon një formë që lë shumë për të dëshiruar.

Sipas mediumeve anglezë, humbja e thellë e Uest Hemit nga Njukaslli i ka bindur plotësisht krerët e klubit që të vendosin për shkarkimin e trajnerit kroat dhe, tanimë, kanë filluar kërkimet për pasuesin e tij.

Uest Hemi ka pësuar në tri ndeshjet e para të Premier Ligës tri humbje, ndërkohë që mediumet thonë se ky klub londinez përsëri mund të vendosë në favor të një trajneri ballkanas, duke pasur parasysh Sllavisha Jokanoviçin që, momentalisht, drejton Fullhemin.

Sfidanti.al