Bayern ka realizuar përfundimisht transferimin e portugezit Joao Palhinha nga Fulham, me nënshkrimin e kontratës 4-vjeçare. Marrëveshja ishte arritur prej një jave midis të tre palëve, lojtarit dhe dy klubeve, por nënshkrimi i kontratës ishte shtyrë për shkak të disa detajeve midis portugezit dhe klubit londinez në lidhje me bonuset. Pas eliminimit të Portugalisë nga kampionati evropian, Palhinha zgjidhi çështjen me Fulhamin dhe sot nënshkroi kontratën që e lidh deri më 2028 me Bayernin, që do të paguajë 55 milion euro, përfshirë edhe bonuset e lidhura me performancën e lojtarit dhe arritjen e objektivave. Palhninha është lojtari i kërkuar me ngulm për të luajtur para mbrojtjes që vitin e kaluar, kur edhe u arrit marrëveshja, por pa u konkretizuar, pasi Fulham nuk mundi të gjente një zëvendësues. Lojtari u shpreh i lumtur që më në fund arriti të realizonte transferimin.
“Kjo është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Tani do të luajë për një nga klubet kryesore në Evropë. Është një ëndërr që bëhet realitet dhe për këtë jam shumë krenar. Mezi po pres të shoh atmosferën dhe tifozët në Allianz Arena. Dua të festoj suksese me Bajernit, të fitoj tituj, dhe do të jap gjithçka për ta arritur”, tha Palhinha. Ndërkaq, brenda javës së ardhshme mund të realizohet transferimi i mbrojtësit Matthijs de Ligt te Manchester United. Dy klubet janë afruar për sa i përket vlerësimit të lojtarit dhe menaxherët e tij kanë njoftuar Bayernin se mbrojtësi dëshiron të shkojë në te United.
sfidanti.al