Kur flasim për Kristiano Ronaldon, mendojmë si rival të vetëm të denjë, Lionel Mesin. Kjo është dyshja që ka lumturuar dhe torturuar futbollin botëror që nga viti 2008, veçse mëtuesit nuk duken larg. Jo vetëm Nejmar që është i afirmuar, por edhe një anglez që po fiton ndoshta më shumë famë se Geri Lineker në 1986. Ky është Harri Kejn, sulmuesi i Totenhemit, që shënoi dy gola të radhës në fitoren 4-0 në kampionat në fushën e Hadërsfildit.
Jo vetëm Kejn arriti në 7 gola në 7 ditë, dhe në 13 rrjeta në shtator, por edhe barazoi sasinë totale të golave të Kristianos në Premier Ligë, 84 të tillë. CR7-ës iu deshën 6 sezone dhe 196 ndeshje për të arritur deri aty, ndërsa Kejn sapo ka hyrë në edicionin e tij të katërt, dhe ka luajtur 123 ndeshje. Natyrisht, Ronaldo ishte më i ri kur nisi karrierën në Premier Ligë, 18 vjeç ndaj 20 të Kejnit. Kjo nuk ia ul aspak meritën anglezit 24-vjeçar, vërtet një superlojtar, që driblon kundërshtarë, krijon raste për shokët, ndihmon në zotërimin e topit dhe shënon edhe shumë gola për vete. Totenhem është në vend të tretë në tabelën e Premierit, 5 pikë larg ekipeve të Mançesterit, dhe mesa duket rivali i tyre i vetëm.
Sfidanti.al