“Operacioni akut” tek Vllaznia, apo kur futbolli lihet të sëmuret!

Majin e kaluar tifozët shkodranë u hodhën përpjetë dhe u detyruan të gëzoheshin për diçka për të cilën nuk ia vlen të lumturohesh kur je me Vllazninë, për mbijetesën! Që nga ajo ndeshje dramatike me Tiranën në “Loro Boriçi”, në javën e fundit të Superligës, kanë kaluar gati 8 muaj, por duket se tifozët po bëhen gati të gëzohen sërish për të njëjtën gjë, nëse ekipi i tyre do t’ia dalë.

Për habi të madhe fort, drejtuesit e Vllaznisë (pra njerëzit e Bashkisë) sikur nuk ishin aty kur ekipi thuajse ra në Kategorinë e Parë, dhe gjatë verës u bënë premtime që nuk u mbajtën. Trajneri Cungu u detyrua më pas të bënte dorëheqje, dhe në vend të tij erdhi një kampion si Gjoka, por “pacienti Vllazni” ishte aq rëndë sa nuk e shëronte dot as një “doktor profesor” si Nesti.

Përsëri në vend të parafundit, por tani në janar Bashkia e zonjës Ademi dhe drejtuesit e klubit, më në fund u bënë të gjallë. Katër përforcime, lojtarë me përvojë si Sukaj apo Malota, erdhën në Shkodër dhe optimizmi sikur nisi të rritej. Pyetja e thjeshtë është se përse duhej bërë “operacion akut” tani, kur “pacienti Vllazni” mund të shpëtohej shumë më lehtë atëherë kur kishte kohë, verën e kaluar?

Sfidanti.al