Vetë braziliani krijoi jo pak probleme kur mbërriti në 2017, dhe pati “xixa” nga përplasjet e tij me Edinson Kavanin. Lionel Mesi po ashtu ishte shkaktar (indirekt) i pakënaqësive, pasi Kilian Mbape u tha se nuk ishte aspak i lumtur për shokun e ri të skuadrës. Më pas, argjentinasi u acarua me trajnerin Poçetino që e zëvendësoi në ndeshjen ndaj Lionit në ligë, ndërsa tani telashet e Paris SG u shtuan me një “episod” të ri. Kilian Mbape u diktua dhe u filmua nga kamerat duke akuzuar shokun e tij të ekipit, Nejmarin, se nuk i pasonte topin. Francezi i tha fjalët në formë proteste ndërsa po shkonte të ulej në stol. Jo vetëm kaq, por ai përdori fjalë ofenduese, ndërsa iu drejtua Idris Ngejesë. “Ai lypësi nuk më pason topin”, – ishin fjalët e kampionit të botës. PSG e fitoi ndeshje ndaj Monpeljesë në shtëpi, 2-0, por Mbape nuk shënoi ashtu si edhe Nejmar, ndërsa Mesi nuk luajti i dëmtuar. Autorë të golave ishin Ngeje dhe Draksler.
Sfidanti.al