Nuk iu pëlqen formati? Atëherë duhet t’iu pëlqejë shtyrja e kampionatit!

Në Shqipëri, koncepti i diktaturës së njëshit duket se është i vjetër sa vetë jeta. Nëse z. Rama “mbretëron” në kryeministri dhe mund të rrijë në pushtet sa të dojë (sa të duan ata që e mbajnë), kreu i FSHF-së, Armand Duka, është po kaq i pushtetshëm në klubin e dikurshëm Dinamo, sot “Shtëpia e Futbollit”. Nëse Mbreti Luigji XIV thoshte “shteti jam unë”, edhe z. Duka me siguri sot mendon se “futbolli jam unë”, dhe padyshim “Shtëpinë e Futbollit” e sheh si shtëpinë e tij.

Me këtë moto fillimisht u vendos formati i Superligës për sezonin që vjen, duke shmangur rregullin e dikurshëm që ndryshimi duhet të vlejë për një sezon më vonë. Me këtë moto vjen edhe shtyrja e sezonit të kampionatit. “Gojët e liga” thonë se kjo po ndodh për shkak të “ngecjes në batak” me të drejtën televizive, por Shqipëria ta ofron lajmin me “telefonin pa tel”, jo me transparencën që duhej të ishte e domosdoshme dhe e pashmangshme. Kjo shtyrje, që deri tani është një javë, ndodh duke u prishur punë 10 ekipeve që stërviten dhe trajnerëve që kishin ndërtuar planet e tyre sipas afatit të përcaktuar më parë. Po pastaj? Kujt i prishet puna që futbolli dëmton futbollin? A e thamë se “Shtëpia e Futbollit” është privatizuar?

Sfidanti.al