Tifozët e Arsenalit mendonin se e kishin parë më të keqen e mundshme këtë sezon, por për fatin e tyre të keq ishin gabuar. Asgjë që ka ndodhur deri tani nuk mund të krahsohet me turpin e pësuar sonte në stadiumin e Kristal Palasit, në atë që mezi mund të quhet derbi i Londrës. “Selhërst Parku” ishte një vullkan i vërtetë me tifozët vendas që u kënaqën pa masë nga fitorja 3-0, dhe që thirrën disa herë “ne duam që t’i të qendrosh”, drejtuar Arsen Vengerit.
Andros Taunsend në 17’, Johan Kabaj në 63’ dhe Luka Milivojeviç në 68’ me penallti ishin autorët e golave të një fitoreje të madhe, sukses që ua bën më të lehtë mbijetesën në Premier Ligë. Trajneri Sem Allërdajs nuk mund të quhet nga ata me imazhin më të mirë (pas skandalit me Anglinë), por gjithsesi ai është një specialist i zoti.
Me humbjen që u bë e rëndë, tifozët e “topçinjve” i lanë për një moment mënjanë parullat kundër Vengerit dhe iu kthyen futbollistëve të tyre, duke thirrur se “ju nuk meritoni ta vishni fanelën”. Vërtet e rëndë t’i ndodhë kështu një ekipi që ka dalë 13 herë kampion i Anglisë dhe që ka fituar 11 herë Kupën e Anglisë, dhe ku kanë luajtur gjigandë si Ian Rajt, Tieri Henri, Toni Adams apo Denis Bergkamp. Arsenali mbeti në 54 pikë duke rrezikuar tepër kualifikimin në Champions, ndërsa Evertoni kërkon që ta zbresë edhe në vendin e shtatë.
Sfidanti.al