Rasëll Uestbruk, gjeniu që basketbolli e kuptoi vetëm shumë vonë!

Kushdo e mendonte se Rasëll Uestbruk mund të thyente rekorde të pabesueshme. Kushdo, gjithsesi, mendonte edhe se Rasëll Uestbruk nuk ishte aq “i latuar” sa ikonat e basketbollit si Karim Abdyl Xhabar, Majkëll Xhordan, apo Lebron Xhejms. Sot që njeriu i fortë i Oklahomës theu rekordin e jashtëzakonshëm të Oskar Robertsonit, ndoshta shumica e njerëzve po thonë “unë e dija”. As edhe vetë Rasëll Uestbruk nuk e dinte me saktësi se çfarë po bënte, edhe pse egoja e tij ishte dhe mbetet aq e madhe, saqë prej tij mund të pritet çdo gjë.

Me 42 ndeshje me “tripëll dabëlla” në një sezon, ai kurorëzoi një edicion përrallor, duke triumfuar kundër çdo parashikimi, dhe kundër elementëve “të natyrës”. Po, sepse NBA në kohën e Robertsonit ishte shumë më e shpejtë, në kuptimin që kishte më shumë gjuajtje në një ndeshje, ndaj edhe në 1961-1962 u thyen rekordet nga Robertson, si 41 “tripëll dabëlla”, apo një sezon në mesatare “tripëll dabëlli” apo ndeshja 100-pikëshe e Uilt Çembërlenit. Uestbruk nuk i pati këto favore, por sërish ia doli, dhe ka mesataren 31.9 pikë për ndeshje, 10.7 topa në tabela për ndeshje, 10.4 asistë për ndeshje.

Tepër i shpejtë, me një 100-metërsh besohet tek 11.2 sekondat (Çembërlen e kishte 10.9), me një kërcim lart prej rreth 37 inçësh apo 94 centimetrash, ndërsa gjuajtjet e tij janë të përafërta me harkun e Xhabarit, kërcimin anësor të Xhordanit, apo kërcimin duke u tërhequr prapa me një këmbë të Novickit. Uestbruk nuk ka kërcimin maksimal si Xhabari (122 cm) apo Xhordan (117 cm), por i mjafton shpërthimi i tij përpara, shpejtësia (3.08 sekonda për 40 metrat) dhe fuqia, si dhe koordinimi duke u ndalur për një fraksion sekondi përpara gjuajtjes.

Momenti i tij erdhi atëherë kur u duk se karriera mori një goditje të parikuperueshme, verën e kaluar ndërsa Kevin Durant e la vetëm për të shkuar tek Golden Stejti. Oklahoma kishte një dyshe të madhe, tani ka vetëm atë. Shanset për titull ndoshta kanë avulluar, veçse këtë sezon për herë të parë Uestbruk ishte i vetëm në timon, dhe mund të bënte si dinte vetë. Dhe ja ku jemi, me rekordet më të adhurueshme të NBA-së të rrëzuara përtokë. “Nju Jork Tajms” pati titullin më të gjetur për ta përkufizuar RW: “Gjenia e keqkuptuar e Rasëll Uestbrukut”.

Sfidanti.al