Njerëzit që e kanë mendjen tek ekonomia familjare vështirë se mund të mendojnë për të blerë një biletë për të ndjekur sfidën mes Barcelonës dhe Realit të Madridit. Çmimi mesatar i një bilete këtë vit në “Kamp Nou” është 897 euro, vërtet një shifër e frikshme për një vend në krizë ekonomike, ku besohet se një pjesë e madhe e të rinjve ose janë pa punë, ose kanë punë të pjesëshme. Dikush mund të thotë se klubi katalanas e “vuri dorën në zemër”, pasi vjet mesatarja ishte 961 euro për biletë. Shprehja popullore që të vjen ndër mend është “mos i hëngshin ato para”.
Për ndeshjen e sotme, bileta më e shtrenjtë (një kapriço e vërtetë) u ble nga SHBA me vlerë 2775 euro, ndërsa edhe më e lira pavarësisht se shumë, shumë më poshtë, nuk ishte falë, plot 99 euro. Habitet njeriu me këto që ndodhin, ndonëse fakti është se njerëzit, të tërhequr nga reklama dhe bukuria e futbollit, shtrëngojnë rripin në krah tjetër për të blerë hyrjen në “Kamp Nou” apo “Bernabeu”. Po ashtu, tërheqja është globale, pasi gati gjysmë miliardë njerëz pritet ta ndjekin sfidën në TV. Të mendosh se para 1990-ës në Shqipëri, duhej të paguaje 1 lek, 2 lekë apo 3 lekë për të parë edhe ndeshjen më të fortë të kampionatit, dhe nuk ishin aspak ndeshje të këqija. Barcelona mund ta dëshmojë, pasi e ka provuar atëherë se kush ishte Flamurtari.
Sfidanti.al