Ndoshta nuk do t’i prishë asnjë punë në fund, sepse në futboll mjafton që të shënosh një gol më shumë se kundërshtari që të fitosh. Gjithsesi, mediat e Madridit janë të shqetësuara me disa “simptoma” të Realit “të tyre”. Si “nëna të merakosura”, gazetat shkruajnë se për 8 ndeshje, skuadra e trajnerit Zinedin Zidan ka pësuar nga dy gola, diçka jo normale për një ekip të nivelit kaq të lartë.
Kjo ka ndodhur ndaj Deportivos, Kashima Antlersit, Seviljes, Seltës, Valencias, Vijarrealit, Las Palmasit dhe Leganjesit. Problemi është më i madh sepse këta dygolësha pësohen në fare pak minuta, me nga 2 deri në 7 minuta diferencë. Natyrisht, kjo nuk e ka penguar skuadrën “merenges” që të jetë në krye të kampionatit (diçka që nuk ndodhte prej vitesh) apo në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve. Gabimi i vetëm ishte në Kupë me Seltën. Për më tepër, Zidan dhe Reali janë sinonim i sulmit, pra rrjedhimisht edhe i rrezikut në prapavijë. Gjithsesi, gazetat në Madrid kanë të drejtë në një pikë, nuk është normale që një skuadër e madhe të bjerë në gjumë për 2 deri në 7 minuta me radhë dhe të pësojë dy gola.
Sfidanti.al