Fare mirë mund të mos kishin qenë fare në Ligën e Kampionëve. Një vit më parë u desh një moment i jashtëzakonshëm, një gol i portierit Alison që Liverpuli të kualifikohej për në Champions, diçka që ia vlen të kujtohet sot, kur të kuqtë kanë arritur finalen. Futbolli është edhe i tillë, ndërsa të kuqtë e trajnerit Jurgen Klop janë vetëm një hap larg titullit. Fitorja 3-2 në Spanjë ndaj Vijarrealit ishte e veçantë pas rezultatit 0-2 në pjesën e parë, dhe anglezët treguan gjithashtu karakter të madh, përveç klasit. Shifrat totale janë 5-2.
Liverpuli u bë e para skuadër në histori që fiton të 6 ndeshjet jashtë fushe në një edicion të Championsit. E para skuadër angleze që kualifikohet në të gjitha finalet në një sezon, në Champions, Kupën e Anglisë dhe Kupën e Ligës. Të kuqtë tashmë do t’i luajnë të gjitha ndeshjet e mundshme këtë sezon, në total, 63, në të gjitha kompeticionet, ndërsa morën një përgëzim nga tifozi i tyre i shquar, Lebron Xhejms që mezi pret finalen e Parisit. Jurgen Klopi barazoi rekordin e Lipit, Fergusonit dhe Ançelotit, si trajnerët e vetëm që kanë arritur në 4 finale të Championsit.
“Është diçka e jashtëzakonshme, – tha gjermani, – ne ia bëmë jetën vetes të vështirë, por ia dolëm. E dinim që më parë se mund të shkonte kështu. Respekt maksimal për Vijarrealin, për lojtarët, trajnerin, tifozët. Ishin të shkëlqyer. Ne nisëm të luanim futboll vetëm pas pushimit, por i falenderoj djemtë për reagimin. Më në fund, jemi në finale”. Mohamed Salah tregoi se çfarë tha Klopi në pushim të ndeshjes. “Trajneri na foli në dhomën e zhveshjes, – tha egjiptiani, – edhe ne folëm me njëri-tjetrin. Thjesht duhej të tregonim karakter dhe të luanim siç kemi bërë gjithmonë. Duhej reagonim si skuadër e madhe. Sa për veten time, synimi ka qenë 40 gola dhe 15 asistë, ndërsa kam 30 gola e 15 asistë. Ndoshta duhet të shënoj edhe disa gola”.
Trajneri i Vijarrealit, Unai Emeri, ishte krenar me ekipin e tij. “Kur je në një nivel të tillë, – tha spanjolli, – sidomos përballë Liverpulit, duhet të jesh në përsosmëri gjatë gjithë kohës. Në luajtëm mirë në mbrojtje në “Anfild”, dhe ishim shumë mirë në pjesën e parë në fushën tonë. Shpenzuam shumë energji dhe ishim të lodhur pas pushimit. Bëmë maksimumin dhe ishim pranë finales”. Liverpuli arriti finalen e 10-të në histori, më shumë se çdo ekip anglez, dhe vetëm Reali me 16, Bajerni e Milani me nga 11, kanë më shumë.
Sfidanti.al