Tashmë do të jetë i grumbulluar në kombëtare, veçse e diela ishte tepër emocionuese dhe e lodhshme në Serinë A. Pak orë pas kënaqësisë së madhe të Thoma Strakoshës në fitoren 6-1 të Lacios, ja ku vjen edhe “reklama” e duhur për Etrit Berishën. Portieri i kombëtares kishte “vitrinën” e duhur për t’u ndjekur nga gjithë Europa, ndeshjen e Atalantës ndaj Juventusit. Nuk e nisi mirë, duke gabuar në rastin e golit të parë juventin, por e përfundoi si hero. Gjashtë minuta para fundit, priti penalltinë e Paulo Dibalës, duke mos lejuar humbjen për të vetët.
Rezultati ishte 2-2, pas një reagimi të shkëlqyer të bergamaskëve, ndërsa Dibala mori vrull për të fiksuar fitoren juventine. Berisha kuptoi krahun, u hodh saktë dhe shpejt, duke larguar topin. Sezonin e kaluar Etriti ishte padyshim një nga portierët më të mirë të Serisë A (në mos më i miri), dhe një nga më të mirët në Europë. Duket se kjo i ka pëlqyer dhe nuk dëshiron ta ulë ritmin.
Sfidanti.al