Nga disiplina tek dieta, Iuliano e Panuçi, si Vengeri e Murinjo!

Kanë mbetur fare pak ditë, por ritmi nuk është ulur. Partizani vazhdon stërvitjen në Kasha të Italisë dhe trajneri Mark Iuliano mbetet kërkues ndaj lojtarëve, i bindur se në lojë është emri i tij i madh. Ish-lojtari imponues i Juventusit dhe i Italisë, e di mirë se sfida ndaj Skënderbeut nuk do të jetë aspak e lehtë, por ai nuk mund të pranojë humbjen ende pa nisur gara.

Që nga 10 gushti e deri tani, janë zhvilluar shumë seanca përgatitore, si dhe janë luajtur tri ndeshje miqësore, me Iulianon që ka mbetur i kënaqur. Përveç taktikës dhe mentalitetit, italiani po punon me ekipin jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke krijuar një dietë të përcaktuar mirë ushqimore për futbollistët, në mënyrë që ata kenë maksimumin e formës.

Këto ditë, shqiptarët po ndjejnë “morsën” e dy italianëve, i pari Panuçi i kombëtares që sakrifikoi një nga sulmuesit më të mirë, Cikalleshin, për hir të disiplinës, dhe i dyti Iuliano që ndërhyn tek ushqimi dhe celularët e lojtarëve.

Nuk është habi për futbollin profesionist, me Premier Ligën që provoi më herët Arsen Vengerin dhe Zhoze Murinjon, aq sa tabloidët bënë shaka duke thënë se supermodelet e sfilatave të Londrës duken mbipeshë në krahasim me lojtarët e Arsenalit dhe Çelsit.

Duke u kthyer tek Partizani, Iuliano nuk impresionohet që Skënderbeu arriti fazën e grupeve në Ligën e Europës, pasi ai vetë është mësuar me shumë më tepër. Këtë do t’ua thotë (ose ua ka thënë lojtarëve të tij).

Lajmi i mirë është që me grupin është bashkuar edhe sulmuesi Edgar Çani, që ishte i dëmtuar, ndonëse do të jetë e vështirë që ai të jetë gati për takimin e parë të Superligës ndaj Laçit, në 9 shtator. Sipas informacioneve nga Italia, 28-vjeçarit do t’i duhen 15-20 ditë për të qenë në gjendje që të aktivizohet në ndeshje.

Iuliano është trajner me fat sepse me afrimet e bëra gjatë verës, Partizani është një skuadër me shumë lojtarë, pra edhe me konkurrencë të madhe. Kryeqytetasit pritet të kthehen në Tiranë në 31 gusht, dhe të vazhdojnë përgatitjet me ritëm më të ulët, deri në fillimin e sezonit.

Sfidanti.al