Kur është në formën e zakonshme, ja pra që nuk vihen re 33 vitet që mban mbi supe. Lionel Mesi madje është drejtuar për tek “pranvera” e 34-ët e jetës së tij, por argjentinasi hoqi çdo dyshim se mosha ka ndonjë ndikim mbi klasin e tij. Me dy golat e shënuar në fushën e Granadës (fitore 4-0 e Barcelonës), kapiteni u bë sërish “Piçiçi” i vetmuar i La Ligës, pra shënuesi më i mirë duke pasur 11 rrjeta ndaj 10 të Gerard Morenos. Po ashtu, ka 14 gola në 21 ndeshje këtë sezon, duke rritur rendimentin në mënyrë të theksuar me 4 rrjeta në dy ndeshjet e fundit.
Ai shënoi sërish me goditje dënimi, duke pasur 48 gola me goditje dënimi tek Barça, dhe 54 bashkë me ato të shënuara me Argjentinën. Për më tepër, Leo ka 130 dygolësha në karrierë, dhe 190 gola në 250 ndeshje jashtë fushe. Për Barcelonën ka shënuar 648 gola në 752 ndeshje, me mesatare 0.862 gola për ndeshje. Në total (bashkë me kombëtaren) ka 894 ndeshje dhe 719 gola, me mesatare 0.804 gola për ndeshje. Gara e tij me Kristiano Ronaldon vazhdon, ndërsa portugezi ka luajtur gjithsej 1038 ndeshje në karrierë (klube dhe kombëtare), e ka shënuar 758 gola, me mesatare 0.73 gola për ndeshje. Këtë sezon, ylli i Juventusit është më mirë se Mesi me 18 gola në 16 ndeshje në total dhe me 14 gola në 12 ndeshje në Serinë A. Ronaldo ka luajtur 144 ndeshje më shumë se argjentinasi dhe ka shënuar 39 gola më shumë.
Sfidanti.al