Nën hetim edhe transferimi më i madh i futbollit, Juventus ç’ke bërë?!

Transferimi më i madh në futboll është nën hetim. Pol Pogba kaloi vjet nga Juventusi tek Mançester Junajtid, por diçka dyshohet se nuk ka qenë në rregull. FIFA ka nisur një hetim, nga cili ka përjashtuar klubin anglez, por jo atë italian. Shkaku i hetimit nga qeveria e futbollit botëror duket se ka të bëjë me përqindjen e fitimeve që mori nga transferimi, agjenti i Pogbasë, Mino Raiola.

Junajtid pagoi 105 milionë euro për mesfushorin francez verën e kaluar, veçse sipas lajmeve nga mediat, Raiola përfitoi jo pak, por plot 41 milionë paund stërlina. Kostoja për klubin anglez arrin deri në 115 milionë euro, në bazë të klauzolave të marrëveshjes, ndërsa Juventusi u shpreh se përfitimi financiar nga ky transferim ishte 72.6 milionë euro. Çështja e 24-vjeçarit pra do të kalojë në gjyqin sportiv.

Pogba është për herë të dytë tek Mançester Junajtid. Fillimisht, ai luajti pak në “Old Traford” dhe kaloi tek Juventusi ku fitoi tituj dhe arriti finalen e Championsit, por më pas vendosi të shkonte përsëri në Angli. Pas një fillimi të vështirë, Pogba është kthyer në një nga lojtarët më të mirë të skuadrës së Zhoze Murinjos, ndërsa është një nga pikat më të forta të kombëtares së Francës.

Sfidanti.al