Kështu thotë një nga njerëzit që e njeh mirë botën e futbollit. Bëhet fjalë për ish-agjentin e Marko Verratit, Donato De Kampli, i cili pati një koment për Nejmarin dhe për klubin e tij francez. i pyetur nëse braziliani do të largohej për tek Reali i Madridit, De Kampli deklaroi shkurt se kjo ishte e pamundur.
“Nejmar dhe lojtarët e tjerë të Paris SG janë të burgosur në një burg prej ari, – u shpreh ish-agjenti i Verrarit, – nga një burg prej të cilit nuk duan të largohen. Është e pamundur që klubet e tjera t’i shkëpusin që aty, pasi PSG ka më shumë potencial. Kontratat që firmosen aty, nuk mund të firmosen në vend tjetër”.
Ka arsye për zemërimin e De Kamplit me sheikët e kryeqytetit të Francës. “Me PSG-në pata përvojën më të keqe të karrierës, – u shpreh agjenti, – zero mirënjohje dhe për mua Verrati nuk ekziston më. Nuk luftova vetëm kundër një klubi, por kundër një shteti”. Me siguri De Kampli e kishte fjalën për transferimin e dështuar për tek Barcelona verën e kaluar.
Sfidanti.al