Nejmar ka humbur 2 vjet i dëmtuar tek Paris SG!

Ndalesat i ka pasur tepër të shpeshta. Vështirë të gjendet një tjetër yll i madh i futbollit që të jetë dëmtuar kaq shpesh, dhe të ketë humbur kaq shumë ndeshje sa Nejmari. Pasi provoi lëndime nga më të ndryshmit, sulmuesi i Paris SG mori lajmin tepër të keq se e ka mbyllur sezonin, ndërsa lista e ndalesave të tij është tepër e gjatë. Bëhet fjalë për 38 ndalesa gjatë gjithë karrierës, duke nisur nga viti 2013, kur ishte pjesë e Barcelonës, e deri më sot. Në total, kapiteni i Brazilit ka humbur 148 ndeshje, dhe sidomos problemet janë shtuar pasi kaloi tek Paris SG, ku nuk ka luajtur për gati 2 vjet, nëse e përmbledh të gjithë kohën në të cilën ka qenë jashtë. Besohet se Nejmar duhej të ishte operuar me kohë në kavilje, që në 2017, por investimi prej 222 milionë eurosh i bërë nga PSG e detyroi që të vazhdonte të luante edhe me probleme.

Tashmë, ai nuk do të mundë ta ndihmojë skuadrën pariziene në ndeshjen vendimtare të sezonit, atë në Champions në fushën e Bajernit. PSG u mund në shtëpi 0-1 dhe rrezikon eliminimin që në raundin e dytë, gjë që do të përfaqësonte dështimin e sezonit. Jo vetëm kaq, por spekullohet se 31-vjeçari mund të largohet përfundimisht nga klubi parizien në fund të sezonit. Nuk besohet se Nejmarit do t’i mungonin ofertat, por gjithsesi ai ka mbërritur në një moment kur dëmtimet mund t’ia rrezikojnë statusin prej superylli në futbollin botëror.

Sfidanti.al