Në Spanjë vazhdon “Fenomeni Uzuni”, shqiptari realizon edhe dy gola në fitore!

Mbetet protagonisti kryesor dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Myrto Uzuni është sërish emri më i njohur në Ligën e Dytë të Spanjës, dhe sikur të mos mjaftonin golat e shënuar deri tani, ia doli ta tundte rrjetën edhe dy herë të tjera. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte i papërmbajtshëm për Granadën duke i dhënë fitoren 2-0 ndaj Andorrës, e duke ia shtuar shpresat për t’u ngjitur në elitën e futbollit spanjoll. Uzuni i realizoi të dy golat në distancë kohore vetëm 3 minuta, ndërsa vazhdon të jetë i pari në renditjen e Këpucës së Artë të kampionatit. Ishte fat që ai u kthye në kohë nga dëmtimi që e mbajti jashtë ndeshjes së kaluar.

Me 14 gola, shqiptari nga Berati është i paarritshëm për momentin nga rivalët, mes të cilëve edhe sulmuesi tjetër kuqezi, Armando Sadiku. Sulmuesi 27-vjeçar po ashtu e vazhdon karakteristikën që të gjitha rrjetat i ka realizuar në shtëpi, në stadiumin “Los Karmenes”. Falë golave të shqiptarit, Granada ka 41 pikë duke qenë në garë për t’u ngjitur në La Ligë, ndërsa interesimi për Uzunin mbetet i madh dhe ai besohet se do të luajë në elitën spanjolle pavarësisht fatit të ekipit të tij të tanishëm.

Sfidanti.al