Në tenis “fryn” “Era e Lindjes”, bjellorusja Sabalenka fiton në Australian Open!

Prej kohësh ky sport duket se është zhvendosur drejt Lindjes. Tenisi, edhe pse i ka rrënjët në SHBA, Australi, Britani të Madhe apo Francë, po dominohet gjithmonë e më shumë nga kampionë të Rusisë, Bjellorusisë apo Serbisë, për meshkuj e femra, dhe ja ku vjen shembulli i radhës. Bjellorusja Alina Sabalenka fitoi Grand Slemin e parë të vitit, atë në Australian Open, pas një finaleje të fortë ndaj kazakes Jelena Ribakina. Sabalenka ia doli 2-1 me sete dhe me përmbysje duke u bërë e para teniste që fiton një Grand Slem duke pasur status neutral. Vajza nga Minsku nuk garoi nën flamurin e vendit të saj, sepse tenistët nga Bjellorusia dhe nga Rusia lejohen të konkurrojnë vetëm si të pavarur, jo me simbolet e tyre kombëtare dhe shtetërore.

Kjo, pas sulmit rus në Ukrainë. Finalja në Melburn zgjati dy orë e 28 minuta dhe Sabalenka ia doli pikërisht ndaj një ruseje me rezultatin 4-6, 6-3, 6-4. Ribakina, 23-vjeçare, ka lindur në Moskë, por në 2018 mori nënshtetësinë e Kazakistanit, pasi pati mbështetje më të madhe financiare sesa në Rusi. Vitin e kaluar ajo fitoi Grand Slemin më të famshëm të tenisit, atë të Uimbëlldonit. Sa për Sabalenkën, bjellorusja mundi ta tregonte veten pasi vitin e kaluar pati probleme. Vajza 24-vjeçare nuk u lejua të garonte në Uimbëlldon, pasi u përjashtuan sportistët rusë dhe bjellorusë, por tani e ka Grand Slemin e saj dhe pritet të jetë numri 1 i botës.

Sfidanti.al