Ai është një prind tipik ballkanas, nga ata që janë të lidhur gjithë jetën me fëmijën e tyre. Srgjan Gjokoviç ia ka kushtuar krejt energjinë dhe kohën djalit të tij, Novakut, dhe padyshim është i lumtur që ai sot është tenisti numër 1 i botës dhe që ka fituar 18 Çmime të Mëdhenj, pranë dyshes Federer-Nadal. Gjithsesi, mendimi i tij, bota e tij, rrotullohet pas të birit, ashtu si Hëna rrotullohet rreth Tokës. Pasi e cilëson si tenistin më të madh në histori (normalisht, duhet të presim edhe pak për ta thënë), dhe pasi thotë se Novaku është dhuratë e Zotit për Serbinë (ku nuk harron të përmendë edhe Kosovën që Serbia nuk duhet ta humbasë), ai hyn në konfliktin mes Novakut dhe Rozher Federerit.
Srgjani thotë se Federeri është vërtet një kampion i madh, por jo edhe një njeri shumë i mirë dhe se në 2006, kur Serbia luajti ndaj Zvicrës në Gjenevë për Kupën Dejvis, Rozheri u soll keq me djalin e tij. “Novaku pati një problem me hundën, dhe nuk merrte dot frymë siç duhet, e pati të vështirë në ndeshjet e gjata, në pikët e gjata dhe Federeri bëri gjithçka për ta ulur, – thotë ai, – askush nuk është sjellë me Novakun në atë mënyrë, ndërsa djali im në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç”. Është e qartë se dy tenistët nuk kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin dhe rivaliteti vazhdon.
Sfidanti.al