Në kombëtare thonë se Uzuni është gati për Poloninë!

U shqetësuam se nuk do ta kishim yllin kryesor. Myrto Uzuni pati vetëm fizioterapi një ditë më parë, por gjithsesi burime brenda kombëtares informojnë se do të jetë gati. Që do të thotë se trajneri Silvinjo mund ta llogarisë në planet e tij, padyshim në formacion, për ndeshjen eliminatore të Europianit në Poloni. Sulmuesi i Granadës, autor i 20 golave këtë edicion në Ligën e Dytë të Spanjës, ndjeu lodhje muskulare, ndaj edhe stafi teknik nuk deshi të rrezikonte me ngarkesë në stërvitje bashkë me lojtarët e tjerë. Pas fizioterapisë, në kombëtare japin garanci se Uzuni nuk ka asnjë problem dhe se do të jetë 100 për qind gati.

Kombëtarja mbyll sot përgatitjet në Shtëpinë e Futbollit në Tiranë për t’u nisur këtë të dielë në orën 09:00 të mëngjesit drejt Varshavës. Silvinjo ka vazhduar me provat me skemën më të përshtatshme, ndërsa për të ruajtur fshehtësinë i mbylli dyert e seancës së vetme stërvitore të kësaj të shtune. Pritet që skema të jetë 4-1-4-1, ndonëse trajneri brazilian do të vendosë në fund. Kombëtarja ka mungesa për ndeshjen e së hënës, por po ashtu edhe kundërshtari ynë Polonia nuk është i plotë.

Sfidanti.al