Kur gjithçka shkon mirë, batutat nuk mungojnë. Edhe kur e keqja duket në horizont, por në fushë sërish fitohet, të gjithë janë “serbes”. Kështu ka qenë kur sundonte Partizani, Dinamo e Tirana, kështu është edhe tani që “kurorën e mbretit” e ka Skënderbeu. Tefik Osmani, mbrojtësi me përgjigjen në majë të gjuhës, u shpreh mbrëmë në një emision sportiv se “edhe trajneri Daja është në vështirësi, pasi ka frikë se nuk e marrim në stadium, kaq të sigurt jemi me këto pikë që kemi”.
Batutë spontane apo e kopsitur me parë? Nuk ka rendesi shumë. Dikur bënin batuta Panajot Pano, Ilir Përnaska apo Agustin Kola, apo me romuzet e famshme të trajnerëve popullor Lym Alla, Enver Shehu apo Skender Jareci.
Gjithsesi, futbolli është si jeta, kur “batica” ndryshon drejtim, bota bëhet “patëllxhane”. Nëse Skënderbeu do të ketë vërtet ditë të vështira, zor se lojtarët më të mirë do të pranojnë të mbeten aty. Yjet duan Championsin, Europën, “rrugët jashtë shtetit”. Në fund, si në çdo rast që njeh historia e këtij sporti, për krenarinë e fanelës mbeten vetëm tifozët.
Sfidanti.al