Ndoshta Didi Hamani ka të drejtë për Dortmundin dhe Halandin

Pak ditë më parë u kritikua nga Jurgen Klopi, për komentet e tij lidhur me Tiago Alkantarën. Ndoshta, Didi Haman ishte i gabuar për gjykimin se “Tiago e ngadalëson lojën e Liverpulit”, por ish-ylli i Gjermanisë duket se ka qëlluar në shenjë lidhur me situatën e Borusias së Dortmundit me Erling Halandin. Kaq shumë diskutime për të ardhmen e tij kanë krijuar një gjendje të vështirë, të ngarkuar nga ana mendore, dhe ish-mesfushori i Liverpulit e Bajernit, thotë se më mirë një “fund i tmerrshëm sesa një tmerr pa fund”. “Mendoj se është më mirë për Dortmundin që Halandi do të largohet në fund të sezonit, – tha Hamani, – ai tërhoqi shumë vëmendje, bëri edhe një xhiro nderi para tifozëve në dimër. Veprimet e tij, gjuha e trupit hera-herës ka qenë në mungesë respekti për klubin. Ai humbi shumë ndeshje për shkak dëmtimi, por Dortmundi humbi shumë ndeshje me të. Në fund të fundit, do të fitojë një shumë të madhe financiare që do ta ndihmojë”.

Sfidanti.al