Ndeshja historike e Lebronit, ndoshta vetëm Robinson ia ka dalë!

Kur përfundoi beteja mes Klivlendit dhe Torontos, Lebron Xhejms hodhi sytë tek tabela e statistikave. Sipas zakonit, superylli shikoi në fillim për numrin e topave të humbur nga skuadra e tij, dhe pastaj për topat e humbur nga ai vetë. Dalloi numrin 8 tek skuadra, dhe numrin 0 personal. Pra, ai nuk kishte humbur asnjë top në një ndeshje të ashpër që përfundoi 132-129, dhe kjo gjë padyshim që kishte qenë vendimtare për një fitore tepër të vështirë, dhe tepër të rëndësishme.

Jo vetëm kaq, pasi Lebron shënoi 35 pikë dhe shërbeu 17 asistë në përballjen me kanadezët. Asnjë lojtar nuk ia kishte dalë që nga viti 1977 (kur NBA nisi të llogariste topat e humbur) që të shënonte 35 pikë, të jepte 17 asiste dhe të mos humbiste asnjë top. Besohet se këtë mund ta ketë bërë, në të kaluarën, vetëm Oskar Robertson, në një nga 5 ndeshjet në të cilat shënoi të paktën 35 pikë dhe kapi të paktën 17 asistë. Për fat të keq, nuk ka statistika për këtë.

Edhe më shumë sesa rekordi personal, për Xhejmsin ishte me rëndësi fitorja, pasi u arrit ndaj një rivali direkt për finalen e Konferencës. Toronto kryeson në Lindje dhe duket se nuk do ta humbasë vendin e parë, ndërsa Klivlend vështirë të ngjitet më lart se vendi i tretë, ndaj një sukses i tillë jep moral. Të mos harrojmë se në janar, Toronto e mundi Klivlendin 133-99!

Sfidanti.al