Superliga greke ka arritur në kufinjtë e tmerrit. Federata e vendit fqinj, në një periudhë prej dy vjetësh, e ndërpret për herë të dytë kampionatin. Këtë rradhë, suituata është edhe më e rëndë, pasi është djegur shtëpia e presidentit të kolegjumit të arbitrave, Jorgos Bikas. Në shkurt të vitit 2015, kampionati është ndërprerë gjithashtu, atëherë për shkak të përplasjeve të dhunshme në derbin Panathinaikos – Olimpiakos, por edhe në sfidën Larisa – Olimpiakos Volu.
Në Greqi, duket se futbolli po paguan tensionet që kanë përfshirë vendin. Atëherë ndërprerja erdhi si pasojë e një vendimi të qeverisë Cipras dhe kur rifilloi kampionati, për një muaj në të gjitha stadiumet u luajt me dyer të mbyllura. Ndërsa tani, futbolli do të rifillojë të luhet, pasi të përfundojnë hetimet për ngjarjen. Një javë më parë, Bikas ka bërë me dije, se një tjetër arbitër i nivelit të lartë është kërcënuar jashtë shtëpisë së tij nga disa persona të panjohur.