Ndalet edhe Reali, Barcelona merr kryesimin e La Ligës

Në të vërtetë, pikët janë të barabarta, nga 19, dhe që të dyja skuadrat janë në formë shumë të mirë. Nuk mund të thuash ndryshe për Barcelonën dhe Realin, kur ato kanë nga 6 fitore e një barazim në renditjen e kampionatit, por gjithsesi ndalesa e madrilenëve ndaj Osasunës (1-1) krijoi disa dyshime. Jo se është diçka krejt e pazakonshme, pasi edhe Barça e bëri këtë gjë në javën e parë në “Kamp Nou” ndaj Rajos Vajekanos, por më pas reagoi. Këtë herë ishte radha e ekipit të trajnerit Karlo Ançeloti që të gabonte në “Bernabeu”.

Në një ndeshje me shumë ngjarje, Reali u ndal nga fati i keq dhe nga nervozizmi, ndërsa Karim Benzema nuk po ka fat. Kandidati kryesor për Topin e Artë humbi një penallti duke goditur shtyllën dhe shënoi një gol në pozicion jashtë loje. Këtë sezon e kanë lënë në hije Halandi në Angli dhe Levandovski në Spanjë, pa folur për Mbapenë e Nejmarin në Francë. Ndaj Osasunës, golin e avantazhit e shënoi Vinisius, ndërsa Kike Garsia barazoi në 50’ dhe miqtë rezistuan me 10 lojtarë që nga 78’ kur David Garsia mori karton të kuq. Diferenca e vërtetë për momentin mes dy kryesuesve të La Ligës është në golaverazh, pasi katalansit e kanë +18 (19-1) dhe “merengesit” +11 (18-7). Spikat sidomos mbrojtja e hekurt e ekipit të trajnerit Ksavi Hernandez, sepse sulmi duket thuajse i barabartë.

Sfidanti.al