Klubi indonezian pas tragjedisë me 174 viktima: Jeta vlen më shumë se futbolli!

Është padyshim një nga ngjarjet më të rënda në këtë sport për të gjitha kohët. Kur flasim për 174 viktima dhe për qindra të plagosur atëherë duket absurde që të diskutosh për futbollin. Gjithsesi, ata dhjetëra mijë njerëz kishin shkuar pikërisht në stadium për të parë një ndeshje të Superligës së Indonezisë, atë mes Aremës dhe Persebajës, që janë edhe dy skuadrat më të mëdha të vendit. Pas humbjes së vendasve të Aremës qindra tifozë hynë në fushë për t’i kërkuar llogari lojtarëve dhe trajnerëve, por në të vërtetë i morën jetën qindra njerëzve me atë që krijuan. “Policia mor masa parandaluese dhe pastaj hodhën gaz lotsjellës sepse tifozët nisën të sulmonin forcat e rendit dhe të digjnin makinat jashtë stadiumit, – deklaroi një zëdhënës, – pas kësaj, tifozët vrapuan që të dilnin nga dyert 10 e 12 të stadiumit duke shkaktuar ngjeshje dhe panik. Njerëzit nuk kishin mundësi të merrnin frymë”. Presidenti Joko Uidodo kërkoi që policia të krye një hetim të thellë dhe profesional për këtë që ndodhi, ndërsa shprehu keqardhjen për vitimat. Klubi i Aremës deklaroi në rrjetet sociale se “futbolli nuk krahasohet me jetën”.

Sfidanti.al