Nuk ishte vetëm faji i tij, edhe pse nuk ishte në mbrëmjen më të mirë. Elseid Hysaj shkaktoi autogolin e tij të parë në portën e Napolit, por për fat skuadra e qytetit “të këngës” shpëtoi veten dhe shqiptarin në përballjen ndaj Sampdorias. Shkodrani devijoi me gjoks në rrjetë një top të gjuajtur nga Shik (në foto), ndërsa shokët e tij të mbrojtjes ishin “duke fjetur gjumë”. Në minutën e 30-të, dorianët kryesonin në “San Paolo”, por fjala e fundit nuk ishte thënë ende.
Hysaj, pas një pjese të parë të dobët, e mori veten në të dytën duke shpëtuar Napolin nga një tjetër gol, duke devijuar gjuajtjen e rrezikshme të Shikut. U desh që Silvestër i miqve të përjashtohej me karton të kuq, që skuadra e Sarrit të gjente golin. Pas kartonit të verdhë të Hysaj, dhe përpjekjeve ofensive të shqiptarit, erdhi aksioni i Kajehonit dhe Gabiadinit, me këtë të fundit që barazoi në 77’.
Napoli iu afrua disa herë golit të dytë, por u ndal nga portieri mik, Puxhoni, që bëri pritje të mëdha, por nuk mundi të shpëtonte portën në minutën e 5-të dhe të fundit shtesë. Toneli shënoi pas krosimit të Striniçit, në ndeshjen e tij të parë në Serinë A pas 245 ditësh. Me këtë sukses, Napoli u barazua qoftë edhe përkohësëisht me Romën e vendit të dytë, me nga 38 pikë, ndërsa Juventusi është në krye me 42.