Golden Stejt Uorriors është skuadra më e mirë, deri tani, e sezonit të rregullt në NBA. Ajo ishte edhe skuadra më e mirë e sezonit të rregullt të kaluar, ndërsa humbi në mënyrë të pabesueshme finalen e madhe për titull ndaj Klivlend Kavaliersit, ndërsa kryesonte 3-1 me fitore. Po kaq e papritur, por jo aq dëmprurëse, edhe disfata thuajse e pabesueshme ndaj Memfis Grizlit, madje brenda në Arenën e saj, në Oklend. Skuadra nga Kalifornia po udhëhiqte me 24 pikë epërsi, dhe po ashtu ishte 18 pikë përpara kur duheshin edhe 7 minuta në periodën e katërt, por rezultati final doli 128-119 për Memfisin, pas kohës shtesë.
Nuk bënë punë 40 pikët e Stefën Kërrit, ndërsa përballë pati spanjollin e fortë, Mark Gasol, një nga zbulimet e këtij edicioni. Gasol shënoi 23 pikë, dhe udhëhoqi ekipin me personalitet, ndërsa Zak Randolf e Majk Konli shënuan nga 27 pikë secili. Grizlis arriti fitoren e dytë këtë sezon ndaj nënkampionëve në fuqi. Nuk bëri punë për Golden Stejtin as fakti që Kevin Durant shënoi 27 pikë dhe kapi 13 topa në tabela, dhe që Klej Tompson realizoi 17 pikë.
Sfida të tilla janë vërtet një nga bukuritë më të veçanta të NBA-së, ndërsa në Konferencën tjetër, atë Lindore, Klivlend Kavaliers vazhdon të dominojë. Kampionia në fuqi e Amerikës triumfoi 116-108 në fushën e Bruklinit, me Lebron Xhejmsin që ishte shëunesi më i mirë me 36 pikë.