Napoli, festë e madhe për titullin e tretë, të parin që nga koha e Maradonës!

Më në fund, në parajsë. Napoli u shpall kampion i Italisë, një triumf që pritej prej 33 viteve, dhe që nuk ishte arritur që nga epoka e Diego Armando Maradonës. “Skudeto” u fitua larg shtëpisë, në stadiumin e Udinezes, me barazimin 1-1, ndërsa festa u shty një herë të dielën në stadiumin “Maradona”. Vendosi goli i atij që pritej më shumë, sulmuesit Viktor Osimhen, që barazoi rezultatin pasi Lovriç kishte kaluar në avantazh friulanët. Festa në stadiumin “Friuli” ishte e madhe dhe e ligjshme, e mes kampionëve të rinj të Serisë A është edhe një shqiptar, mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, lojtar i përhershëm titullar. Ky ishte titulli i parë që nga viti 1990, pasi me Maradonën u fituan dy trofetë e vetëm të kampionatit italian, për herë të parë në 1987.

Një festë thuajse po kaq e madhe, edhe në stadiumin “Maradona” ku ishin grumbulluar 60 000 tifozë, dhe që e ndoqën ndeshjen nga ekrani i impiantit. Ata nuk patën mundësi të gjenin bileta dhe zgjodhën mënyrën më të mirë për të kremtuar. Mbi 10 000 tifozë pritën skuadrën në aeroportin “Kapodikino” të Napolit, në një hare që do të vazhdonte gjatë, deri në orët e vona të natës. Më pas, harbimi vazhdoi në rrugët dhe sheshet e qytetit, me njerëzit që mezi e kishin pritur këtë çast, e madje me shumë prej tyre që as nuk kishin lindur kur Napoli fitoi për herë të fundit titullin në 1990 me Maradonën.

Sfidanti.al