“Nagelsmani e bëri Murinjon të dukej si relike e epokës së kaluar”!

Historia u shkrua edhe në Gjermani. Red Bull Lajpcigu, i njohur më thjesht si Lajpcig, eleminoi Totenhemin dhe arriti për herë të parë në çerekfinalen e Championsit. Një ekip me vetëm 32 ndeshje në Europë, shumë më pak sesa trajneri kundërshtar, Zhoze Murinjo, dhe që nisi të luante në kontinent vetëm në vjeshtën e 2017-ës, sot mund të mburret me të drejtë.

Në fitoren 3-0 nuk qe nevoja të shënonte Timo Verner, edhe pse sulmuesi kryesor ishte në fushë, shenjë e qartë se shokët e tij nuk kanë varësi ndaj tij, siç ndodh p.sh. tek Barcelona me Mesin, apo tek Juventusi me Ronaldon. Dy herë realizoi Marsel Zabicer dhe një herë Forsberg, ndërsa kualifikimi ishte i përsosur bashkë me fitoren 1-0 në Londër.

“Murinjo jashtë pas mbrëmjes gala të Lajpcigut, – shkruan “Bildi”, – pako dyshe e Zabicerit kundër Totenhemit”. Revista “Kiker”, që gjithashtu ka edhe televizionin e saj, komenton se “një histori e madhe u shkrua”, pas kualifikimit të Lajpcigut në Ligën e Kampionëve!

Revista e madhe amerikane “Forbs”, vlerëson trajnerin e ri të Lajpcigut, 32-vjeçarin Nagelsman, që sipas saj, e bëri Murinjon të dukej si një relike e një epoke të shkuar, ndërsa sezoni i Spërsave shkon keq e më keq”!

“Është një moment historik për klubin dhe për mua si trajner, – tha Nagelsmani, – është krejtësisht e merituar që ne u kualifikuam. Ne i kontrolluam të dyja ndeshjet, duke shënuar 4 gola, e duke mos pësuar asnjë. Mund të kishim shënuar më shumë, por s’ka problem. Jam i kënaqur edhe me 3-0. Është mirë kur skuadra ka mjaft besim në vetvete, por duhet të jemi ambiciozë edhe në çerekfinale”.

Zhoze Murinjo po merr kritika të ashpra në Angli. Ish-mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Rio Ferdinand, sot analist në televizion, komentoi se trajneri portugez e ka për detyrë ta rindërtojë Totenhemin dhe t’i japë besim, diçka që ai nuk e ka bërë deri tani, dhe kjo duket në lojën e skuadrës. Vetë Murinjo nuk pranoi të dorëzohej.

“Asnjë skuadër në botë nuk do t’ia kishte dalë mbanë me dëmtimet që kishim ne, me 5-6 lojtarë të rëndësishëm jashtë, – u mbrojt ai, – problemet tona nuk mund të zhduken për një ditë, kaq është e gjitha. Natyrisht, ne duhet të përmirësohemi në mbrojtje, por sezonin që vjen do të jemi shumë më mirë me lojtarët kryesorë të gatshëm. Gjithsesi, do të jetë shumë e vështirë të kualifikohemi në Champions”.

Lajpcigu mund të mos quhet favorit për Championsin, por gjermanët padyshim që kanë ëndrra të mëdha, ashtu si edhe Atalanta, apo ndoshta edhe më shumë. Skuadra e themeluar vetëm 10 vjet më parë, sot është nga më të pasurat në botë, falë mbështetjes së kompanisë austriake Red Bull, me një buxhet mbi 200 milionë euro në sezon, dhe jo më kot pretendon titullin në Bundesligë, në konkurrim me Bajernin e Dortmundin.

Sfidanti.al