Nagelsman synon titullin e Bajernit, por Bajerni e do për … trajner

Kjo është skema që po japin në Gjermani, ndërsa Hansi Flik po flitet gjithnjë e më shumë si një kandidat për stolin e kombëtares. Nëse kjo ndodh, atëherë tek Bajerni nuk duan të jenë të papërgatitur, ndaj edhe po mendojnë trajnerin më të përshtatshëm nga të mundshmit. Meqë Jurgen Klopi është tek Liverpuli dhe Tomas Tuheli me Çelsin, mbetet i lirë vetëm Julian Nagelsmani, nga teknikët gjermanë. Bavarezët nuk do të donin të ndryshonin kombësinë e njeriut të stolit dhe e përditshmja “Bild” shkruan se ka bisedime mes përfaqësuesve të palëve.

Në të njëjtën kohë, Nagelsmani duhet të mendojë për ekipin që drejton tani, Lajpcigun. Eleminimi nga Championsi, pas dy humbjeve me Liverpulin, nuk është fundi i botës, dhe trajneri ka përgatitur një plan prej 68 orësh për t’u përgatitur për ndeshjen e së dielës në Bundesligë ndaj Frankfurtit. Me Bajernin që shkon në fushën e Verderit të shtunën, Lajpcigu duhet të mendojë për sfidën e tij dhe të arrijë fitoren. “Vëmendja për ndeshjen ndaj Liverpulit nuk duhet të zgjasë më shumë se 20 orë, – tha Nagelsmani, – pra nga ora 08:30 dje, deri në pasditen e sotme në orën 17:00 (të enjten). Ne duhet të nisim punën për Frankfurtin. Stërvitja e fundit do të jetë të premten, ndërsa të shtunën nuk do të lodhemi shumë”. Bajerni kryeson Bundesligën me 55 pikë, Lajpcigu ka 53.

Sfidanti.al