Shqipëria jonë dhe ajo e Xhani De Biazit po vazhdon rënien e saj “të lirë” që ka nisur pas përfundimit të Kampionatit Europian. Një shkallë më poshtë u rrëzuam nga humbja e pësuar këtë mbrëmje nga Bosnjë-Hercegovina në “Elbasan Arena”, ndonëse për fat të mirë bëhet fjalë thjesht për një miqësore.
Përfundoi 2-1 për miqtë të cilët kaluan në epërsi në bilancin direkt, por më shumë sesa statistikat shqetëson e tashmja e ekipit përfaqësues. Pa Canën të tërhequr, pa Mavrajn të dëmtuar, pa Gjimshitin e pa Etrit Berishën, por edhe pa Taulant Xhakën dhe Amir Abrashin. Me kaq shumë mungesa, ndoshta një humbje mund të ishte edhe e paralajmëruar, ndonëse edhe boshnjakët i patën “firot” e tyre.
Një penallti e kthyer në gol nga Edin Xheko (gabim i Alijit), dhe një rrjetë e mbrojtësit Senad Luliç ishin më shumë sesa mund të bënte Shqipëra, me realizimin e vetëm të Bekim Balajt në minutën e 68-të (krosim i Jahmir Hykës).
Një derbi i Romës në “Elbasan Arena”, ku Xheko i Romës dhe Luliç i Lacios u ndanë në barazim, ndërsa boshnjakët fituan. De Biazi bëri ndryshime në formacionin titullar, me Allën, Llullakun, Alijin, Balën dhe Hykën në formacion, ndërsa pati edhe zëvendësime të shumta (Hoxha, Ajeti, Roshi, Latifi e Cikalleshi).
Kritikat për trajnerin do të vazhdojnë pas dy humbjeve radhazi, por për tifozët më shumë rëndësi ka fakti sesi do të jetë kombëtarja në ndeshjet e tjera. Duket se triumfi i madh në Euro 2016 na ka bërë shumë keq.
Sfidanti.al