Ka apo nuk ka të drejtë? Kush mund ta dijë plotësisht, por vetë Zhoze Murinjo deklaron se ndaj tij dhe skuadrës së tij po bëhet padrejtësi. Trajneri i Totenhemit sulmoi në konferencën për shtyp teknikun e Anglisë, Garet Sauthgejt, por edhe atë të Mançester Sitit, Pep Guardiola, për çështjen e Rahim Stërlingut. “Padyshim që ne të gjithë e dimë se Stërlingu do të luajë nesër kundër nesh, – tha portugezi, – kur Erik Dajeri u largua nga kombëtarja muajin e kaluar, ai nuk luajti 2 ndeshje për ne, por Rahimi do të luajë nesër. Këta janë disa detaje të vegjël që mendoj se Gareti (Sauthgejti) duhet t’i shpjegojë”. Stërlingu u largua nga Anglia para ndeshjes me Islandën, për një problem fizik, dhe nga frika se mund të dëmtohej edhe më shumë. Nënkuptimi i Murinjos ishte i qartë se ai mendonte që Pep Guardiola i Sitit po merrte një trajtim më të privilegjuar se ai, nga trajneri i Anglisë.
Sfidanti.al