Murinjo përgëzon Liverpulin, por edhe Çelsi i tij është prapa rekordit të Realit!

Në 27 tetor të vitit 2008 ishte pikërisht Liverpuli që i dha fund një serie të pabesueshme prej 86 ndeshjesh pa humbje në shtëpi nga ana e Çelsit. Një seri e nisur në shkurt 2004 me Klaudio Ranierin në stol, e vazhduar deri në vjeshtën e 2007-ës me Zhoze Murinjon, dhe pastaj me Luiz Felipe Skolarin. Atëherë ishte goli i Shabi Alonsos që vendosi, ndërsa këtë të enjte ishte goli i shënuar nga Eshli Barns me penallti për Bërnlin që i dha fund serisë së Liverpulit prej 68 ndeshjesh radhazi pa humbje në “Anfild”.

Zhoze Murinjo e ngriti larg suksesin e Liverpulit, ndonëse vlerësoi se rekordi i Çelsit është tepër i vështirë për t’u arritur. “Natyrisht rekordet janë për t’u thyer, – pohoi ai, – edhe ata që janë më të jashtëzakonshmit, por ka ndonjë rekord që duket thuajse e pamundur që të thyhet. Liverpuli pati një ecuri mahnitëse, shumë, shumë të vështirë për t’u arritur. Rekordi ynë tek Çelsi është ende rekord dhe është shumë e vështirë për t’u kaluar. Gjithsesi, përgëzime Liverpulit”. Sidoqoftë, rekordi europian i ndeshjeve pa humbje në shtëpi në kampionat i përket Realit të Madridit të viteve 1957-1965 me plot 121 ndeshje.

Sfidanti.al