Zhoze Murinjo nuk mund të kalojë ditë pa krijuar lajme me tituj të rëndësishëm në gazeta, dhe ndër të fundit ishin ata që flisnin për një largim të tij nga Mançester Junajtid, për fjetjen e tij në hotel dhe për marrëdhëniet me lojtarët. A do të ikë “Mou”? “Kam ndërmend të respektoj kontratën time me Mançester Junajtidin, – ishin fjalët e tij, – nuk dua të largohem dhe jam i disponuar për të gjetur një kompromis”.
Përse fle në hotel kur vjen në Mançester, dhe nuk merr shtëpi në qytetin të cilit i përket skuadra e tij? “Nuk do të ishte aspak e ndershme, – ishte përgjigja e tij, – që unë të flija në shtëpi, kur ndihmësit e mi flenë në hotel”. Iku dhe kjo.
Si janë marrëdhëniet me lojtarët? Vetë Murinjo ka pohuar se relatat janë të mira, ndonëse Martin Kioun ka deklaruar të kundërtën. Kioun, po ashtu, e ka këshilluar trajnerin portugez që të qendrojë më afër lojtarëve dhe ka theksuar se “ai e humbet më shpesh durimin këto kohë”. A thua, Zhozen e kanë lënë nervat? Gjithsesi, fjalinë më të saktë për binomin Murinjo-Junajtid, e jep analisti i “Deili Meilit”, Martin Samuel. “Nëse Murinjo nuk është përgjigja e duhur për Mançester Junajtidin, atëherë cila qenka kjo përgjigje?”
Sfidanti.al