Një javë më parë ishte titullar. Marash Kumbulla provoi sërish formacionin në Norvegji në përballjen ndaj Bodo Glimtit në Ligën e Konferencës, por këtë herë do të jetë ndryshe. Qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare do të ulet në stol, të paktën fillimisht, me Romën që do të synojë të përmbysë humbjen 1-2 të sfidës së parë çerekfinale. Për italianët nuk pritet e lehtë, pasi në 3 ndeshje deri tani nuk kanë fituar kurrë ndaj norvegjezëve, edhe pse trajneri Zhoze Murinjo ka besim, ndërsa nuk ka mungesa në skuadër. Gjysmëfinalja do të ishte një hap më tej drejt finales që luhet në “Arenën Air Albania” të Tiranës në 25 maj.
“Dy ndeshje të vështira radhazi, – tha Murinjo, – të dielën duhej të përmbysnim rezultatin ndaj Salernitanës, edhe tani duhet të përmbysim humbjen 2-1 të ndeshjes së parë. Gjithsesi, 3 ditë mjaftojnë për t’u përgatitur. Nuk kemi dëmtime, vetëm Spinacola nuk është gati për të qenë titullar. Do të jetë e vështirë, por jemi në formë dhe kam besim tek futbollistët e mi”.
Sfidanti.al