Është kampion i botës në fuqi dhe kampion i Amerikës po në fuqi me Argjentinën. Është futbollisti më i madh i epokës sonë, e ndoshta edhe i historisë (me lejen e Pelesë dhe Maradonës), por lëvizja e tij e radhës krijon habi. Mediat ndërkombëtare janë të bindura se Lionel Mesi do të zgjedhë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vazhduar karrierën, dhe pikërisht ekipin e Interit të Majemit. Ky transferim pritet të realizohet në orët e ardhshme. Një kalim tek Barcelona nuk ishte i mundur për shkak të krizës financiare të katalanasve, ndërsa familja e Mesit nuk pëlqeu të jetonte në Arabinë Saudite. Me PSG-në, ai tashmë e ka mbyllur. Habia e vetme është nga fakti se Interi i Majemit është një ekip që po bie nga kategoria, pra a i shkon për shtat një kampioni të botës, sidomos Mesit?!
Sfidanti.al