Mirë Premier Liga që “shkoi e vate”, por a ka shpresë Siti në Champions?!

“Ne ishim me shpirtin e duhur, me frymën e duhur, ne arritëm të përmbysim rezultatin, dhe bëmë të gjitha përpjekjet, por na ndodhi diçka në fund, dhe humbëm dy pikë”. Këto ishin disa nga fjalët e nxjerra me vështirësi nga goja, prej Pep Guardiolës pas barazimit 2-2 të Mançester Sitit në “Etihad” ndaj Kristël Palasit. Në një sfidë që shkoi rrokopjekthi, kampionët e Anglisë u ndodhën në humbje 0-1, pastaj në fitore 2-1 me dy golat e të (jashtë) zakonshmit Kun Aguero, por minutat e fundit i gjetën të lodhur, aq sa nuk mundën të mbanin ritmin e Uilfrid Zahasë, që detyroi Fernandinjon të shkaktonte autogol.

Me gjasë (siç theksuan mediat angleze), festa me modelet i kishte lodhur yjet e Sitit më shumë sesa duhet, ndërsa kjo gjë ngre dyshime për profesionizmin e tyre në këtë moment të sezonit. Siti, jo vetëm që i ka ofruar titullin në “pjatë argjendi” Liverpulit, duke qenë 13 pikë prapa me një ndeshje më shumë të luajtur, por edhe duket se ka shkelur “butonin e vetëshkatërrimit” në kohën që afron dueli i madh ndaj Realit në turin e dytë të Championsit! Si mund të ketë shpresë një skuadër e tillë me pamje kaq të shkatërruar, e që ka pësuar 5 humbje në 23 ndeshje në Premier, përballë një Madridi që po kap kulmin e formës dhe që ka me vete përvojën e 13 trofeve në Champions?

Sfidanti.al